AIG Kreuzlingen

Xhamia

  • Home
  • Rreth xhamisë sonë
  • Kryesia e xhamisë
  • Statuti
  • Kontakti
  • Bëhu anëtar i xhamisë
  • Aktivitetet e xhamisë

Die Moschee

  • Über unsere Moschee
  • Vorstand der Moschee
  • Statuten
  • Kontakt
  • Mitglied werden
  • Islam in der Schweiz
  • Aktivitäten der Moschee

Forumi i Grave

  • Themelimi i Forumit të Grave
  • Profili i Forumit të Grave
  • Kryesia e Forumit të Grave
  • Aktivitetet e F. të Grave

Forumi Rinor

  • Profili i Forumit Rinor
  • Kryesia e Forumit Rinor
  • Aktivitetet e Forumit Rinor

„Networking“

  • Profili i „Networking“
  • Aktivitetet e F. „Networking“
  1. Home - Ballina
  2. Hutbe

Dhjetë ditët e Dhul-Hixhxhes

 

Vëllezër të nderuar!

Sot është dita e parë e muajit të 12 hixhrij të quajtur ‘Dhul-hixhxheh’. Në mbarim të këtij muaji është Viti i Ri hixhrij. Për këtë muaj të dhul-hixhxhes e sidomos për 10 ditët e para të tij flet si Kur’ani a.sh. ashtu edhe Pejgamberi a.s. Në ajetin që e lexova në fillim të hutbes All-llahu xh.sh. thotë: “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun! Pasha natën që shkon! A janë këto betime për të mençurin?” (el-Fexhr: 1-6). Komentatori i Kur’anit i quajtur Ibni Kethir, duke u mbështetur në fjalët e Ibni Abbasit, të Zubejrit, të Muxhahidit e të tjerëve thotë se kur Zoti i përmend 10 netët në të cilat edhe betohet, ka për qëllim 10 ditët bashkë me netët e para të muajit dhul-hixhxheh. Duhet ditur mirëfilli se All-llahu xh.sh. betohet në sende e gjëra shumë me rëndësi dhe se duhet kushtuar një kujdes të veçantë e duhet studiuar mirë atë në çka betohet Ai.

Ndërkaq për vlerën e këtyre dhjetë ditëve flet edhe vetë Pejgamberi a.s. në disa hadithe që përcillen prej tij. Kështu ai thotë: “Nuk ka ditë më të mira se këto (pra, 10 dhul-hixhxheh), në të cilat All-llahu i do më së shumti veprat dhe punët e mira”. I thanë: “O i Dërguar i Zotit, a edhe se xhihadi? Tha: “Edhe se xhihadi, përpos njeriut i cili del me gjithë pasurinë e tij dhe nuk kthehet më (pra që mbetet shehid në front)”. Në një hadith tjetër që e transmeton Ibni Omeri r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë më të mëdha tek All-llahu xh.sh. dhe punë të mira më të dashura që bëhen në të tek Ai se këto dhjetë ditët. Prandaj, shtojeni në këto ditë tehlilin (La ilahe il-lall-llah), tekbirin (All-llahu ekberull-llahu ekber la ilahe ilall-llahu vall-llahu ekber. All-llahu ekberu velil-lahil hamd) dhe Tahmidin (elhamdu lil-lahi Rabbil-alemin)”.

Këto dhjetë ditë kanë një vlerë të madhe e të dashur tek All-llahu xh.sh., ngase në këto ditë mblidhen e kryhen një sërë ibadetesh kryesore, siç janë: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhxhi, kurbani etj. Prandaj është mustehab (e pëlqyeshme) që gjatë këtyre ditëve namazet farz kurrsesi të mos vonohen, por të falen në kohën e vet, të shtohen namazet nafile sepse kjo është e vetmja mënyrë që të afron më së shumti tek All-llahu xh.sh., pastaj të agjërohet nafile e sidomos dita e nëntë e këtij muaji që është dita e arifes (ose Arafatit), sepse kjo ka qenë traditë dhe shprehi edhe e Pejgamberit a.s. dhe në çdo vend e rast të lavdërohet, madhërohet e të falënderohet All-llahu xh.sh. duke i përdorur shprehjet që i përmendëm në hadithin e mësipërm.

Janë ditët kur muslimani i sinqertë edhe një herë e tregon bindjen dhe imanin e tij të plotë, janë ditët kur muslimanët e dobët duhet ta forcojnë imanin e tyre e t’i përkushtohen Zotit duke e falënderuar, madhëruar Atë dhe duke kërkuar falje për gabimet e gjunahet që i ka bërë në jetën e tij të përditshme.

All-llahu xh.sh. na faltë gabimet e gjunahet tona për hir të ibadeteve të këtyre ditëve madhështore e na përforcoftë këmbët tona në të mbarën! AMIN!

 

 

Marja - turpi

 

Vëllezër të nderuar!

Një prej virtyteve e vetive bazë që duhet t’i ketë besimtari në personalitetin e tij të plotë islam është ndjenja e turpit, e marres. Turpi është shenjë e vërtetë e natyrës së njeriut. Ai flet për vlerën e besimit që ka njeriu dhe për shkallën e kulturës së tij. Prandaj, kur e sheh një njeri se ngushtohet nga veprimi i asaj pune që nuk duhet ta bëjë, apo e sheh se skuqja e turpit e përshkon fytyrën e tij kur prej tij del diçka e pahijshme, dije se ai njeri ka ndërgjegje të zgjuar, iman të plotë, natyrë të pastër dhe prejardhje fisnike. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo fe ka moralin e vet, kurse morali i Islamit është turpi” (Maliku). Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu të ketë thënë: “Pejgamberi ishte më i turpërueshëm sesa vajza beqare në dhomën e vet, kurse kur urrente diçka, këtë e vërenim në fytyrën e tij” (Muslimi).

Sipas mësimeve islame, turpi është i lidhur ngushtë me besimin, andaj njeriu i cili ka besim-iman tek ai do ta gjesh edhe turpin-marren, kurse tek ai i cili nuk ka iman ose e ka imanin të dobët, nuk do të gjesh fije turpi. Pejgamberi a.s. thotë: “Turpi dhe besimi janë ortakë (binjakë): nëse mungon njëri, mungon edhe tjetri” (Hakimi).

Shkaku i kësaj është se kur njeriu e humb turpin, ai fillon të ecë nga e keqja në një të keqe më të madhe dhe vazhdon derisa të përfundojë në shkallën më të ulët. Shikoni si e sqaron Pejgamberi a.s. këtë rënie të besimtarit në një hadith të tijin:

“All-llahu i Lartësuar, kur dëshiron ta poshtërojë një njeri, ia largon atij turpin. E kur i hiqet atij turpi, atëherë do ta shohësh vetëm të urrejtur; e kur do ta takosh të tillë, prej tij largohet edhe besnikëria; e kur të largohet prej tij besnikëria, do ta shohësh atë vetëm tradhtar të madh; e kur do të jetë vetëm i tillë, atëherë prej tij do të largohet edhe mëshira; e kur të largohet edhe mëshira, ti do ta shohësh atë të braktisur e të mallkuar; e kur ta shohësh të këtillë, atëherë ai do të dalë prej lidhjes së fesë” (Ibni Maxhe).

Kjo është një renditje precize e sëmundjes së shpirtit dhe e periudhave që pasojnë. Andaj, njeriu i cili e gris perden e fytyrës së vet (pra, marren), ai nuk bën llogari për punët që i kryen dhe as që ka dert se po qortohet për sjelljet e veta. Ai ua shtrin dorën e vet të dëmit dhe i bën padrejtësi çdonjërit që është nën pushtetin e tij dhe merr nëpër këmbë çdo vlerë njerëzore, morale e humane. Për të nuk ka kufij të së keqes, prandaj vetëm mos i rrafsh në duar atij të paturpshmit, sepse të shkel me gjithë çka ke. Ai e bën këtë ngase ai fillimisht nuk ka turp e marre as edhe prej Zotit, i Cili Zot e sheh se ç’bën e si sillet dhe i Cili Zot do ta marrë në përgjegjësi në botën tjetër, por i Cili edhe mund ta nënçmojë deri në pafund edhe në këtë botë, siç e sqaronte këtë edhe hadithi i Pejgamberit a.s..

Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë: Besimi (imani) ka shtatëdhjetë e disa degë, më e larta është fjala ‘La ilahe il-lall-llah’ (nuk ka zot tjetër pos All-llahut), kurse më e ulëta është largimi i gjembave e therrave nga rruga, e edhe turpi është një degë e imanit”.

Dridhja e njeriut dhe ndryshimi i ngjyrës së fytyrës së tij në disa raste, është argument i një lartësie të fshehtë dhe natyre fisnike. Ndërkaq, nëse ngjyra e turpit të bie prej fytyre, ashtu siç bie lëvorja e gjelbër nga dega e butë, atëherë e ke shkatërruar jetën e vyeshme dhe je në atë gjendje për të cilën thotë Pejgamberi a.s. se e ka thënë secili pejgamber para tij, e që është: “Nëse nuk ke turp, bën çka të duash!

All-llahu xh.sh. na stolistë me këtë petk të mirë të imanit islam e kurrë mos na zbuloftë maret e turpet tona, dhe na drejtoftë në të mbarën e shpëtimin! AMIN!

 

 

Bartja e fjalëve të huaja (Nemimeh)

 

Vëllezër të nderuar!

Një prej veseve e hujeve të këqija të cilave duhet t’u ikë muslimani e të ketë kujdes të mos e dëmtojnë me to të tjerët, është bartja e fjalëve të huaja – nemimellëku. All-
llahu xh.sh. thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë njeri i prishtë ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur të vërtetën, e pastaj të pendoheni për atë që e keni bërë” (el-Huxhurat:6).

Pejgamberi a.s. në një hadith të tij thotë: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai që bart fjalë të huaja”.  Nga Ibni Abbasi r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. një herë kishte kaluar me shokët e tij pranë dy varreve dhe u kishte thënë atyre: “Këta dy njerëz që janë në këto varre e vuajnë dënimin, e nuk e vuajnë për mëkate të mëdha. Njëri prej tyre ka bartur fjalë të huaja, ndërsa tjetri nuk është ruajtur nga urina”. Nga ky hadith nënkuptojmë se ekziston dënim për njerëzit e këqij edhe në varr bile. Madje dënim për çështje e punë që njerëzit në këtë botë nuk i quajnë aq të mëdha, për mëkate e gjunahe që ata i konsiderojnë të vogla e të parëndësishme.

Në një rast tjetër Pejgamberi a.s. kishte thënë: “A dëshironi t’ju them se cili prej jush është më i prishur?” I janë përgjigjur shokët: “Po, gjithsesi”. Ai u thotë: “Janë ata që bartin fjalët e huaja, ata që i ndajnë njerëzit të cilët duhen për hir të Zotit  dhe ata që shpifin kundër të pafajshmëve”.

Bartja e fjalëve të huaja dhe përhapja e tyre në mesin e njerëzve me qëllim të futjes së çrregullimit, përçarjes, grindjes e urrejtjes, është njëra nga vetitë më të këqija të cilat njeriu mund t’i posedojë, ngase kjo nxit huti, i këput lidhjet, mbjell urrejtje, shkatërron bashkësinë, miqtë i shndërron në armiq dhe vëllezërit në të huaj. Ai që e bën këtë është sikurse miza e cila e bart virusin e një sëmundje të rëndë e marramendëse.

Ai në veshët e të cilit arrin bartja e fjalëve të huaja është i obliguar të veprojë si më poshtë:

  1. Të mos i besojë atij që i bart ato fjalë, ngase është njeri i pabesueshëm. Për këtë fliste ajeti të cilin e lexuam në fillim të hutbes.

  2. Të ndalohet ai që e bën këtë punë, të këshillohet dhe t’i tregohet se kjo që e bën ai është prapësi.

  3. Të përbuzet në emër të All-llahut xh.sh., ngase te All-llahu është i përbuzur.

  4. Të mos dyshohet vëllai në mungesë të tij, ngase kjo është gjunah, siç thotë All-llahu xh.sh.: “Largohuni nga dyshimet e shumta, disa dyshime vërtet paraqesin mëkat!” (el-Huxhurat:12).

  5. Nëse dikush ta sjell një lajm të këtillë nuk duhet të interesohesh në detaje e duke i pyetur njerëzit e tjerë, se vërtet a ka folur dikush kundër meje, sepse Zoti thotë në Kur’an: “...dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit!” (el-Huxhurat:12).

Hasan el-Basriu ka thënë: “Kush të sjell ty fjalë për të tjerët, dije se edhe të tjerëve u bart fjalë për ty!”.

All-
llahu xh.sh. na ruajttë nga kjo e ligë dhe mëkat i madh e na drejtoftë në të mbarën!  AMIN!

 

 

Përgojimi (Gibeti)

 

Vëllezër të nderuar!

Njëra prej veseve të këqija e të padëshirueshme që mund ta ketë njeriu është përgojimi (gibeti). Sqarimin më të mirë të fjalës gibet (përgojim) e bën vetë Muhammedi a.s. në një hadith që e transmeton Ebu Hurejreja:

“Pejgamberi a.s. një herë i kishte pyetur shokët e vet: ‘A e dini se ח’është përgojimi (gibeti)?’. Dikush tha: ‘All-llahu dhe Pejgamberi i Tij këtë e dinë më së miri’. Pas חka ai deklaroi: ‘T’a përmendësh vëllanë tënd me një gjë që ai nuk e dëshiron’, Dikush tha: ‘Po חka nëse ai e ka atë që ia themi?’ Pejgamberi a.s. i tha: ‘Nëse ia thua atë që ai vetëm se e ka, ke bërë gibet. E nëse nuk e ka atë që ia thua, atëherë ke bë biftan (shpifje, i ke ngjitur një gjë që s’e ka, që është më e rëndë se gibeti)’”.

Për peshën që e ka ky ves i keq flet shumë rëndë edhe vetë Kur’ani a.sh.. Në suren el-Huxhurat, ajeti 12, të cilin e lexuam në fillim të hutbes, All-llahu xh.sh. thotë: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit dhe mos përgojoni njëri-tjetrin! A mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Këtë, pra, e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin (teuben)”.

“Mos përgojoni njëri-tjetrin!” është urdhër i prerë i All-
llahut xh.sh. dhe njëkohësisht është një gjë shumë e pistë dhe e fëlliqur sikur të hash mishin e vëllait tënd të vdekur. Sa trishton njeriu nga ngrënia e mishit të njeriut të vdekur, po aq duhet të trishtojë edhe nga përgojimi, sepse ai po e merr nëpër gojë, po e përtyp në gojë një fjalë shumë të fëlliqtë sa mishi i njeriut të vdekur. Ndërkaq edhe vetë njeriu me nderin e tij edhe mishi i tij janë të shenjta e të paprekshme dhe është gjynah të lëndohet nderi dhe mishi i tij.


Hulumtimi i të metave dhe mangësive të njerëzve me qëllim që t’u tregohen njerëzve të tjerë dhe këto fjalë pastaj të bëhen ushqim muhabetesh e bisedash nëpër ndeje e kafene, është gjë e patolerueshme dhe është sulm direkt ndaj së drejtës elementare të njeriut, që është ruajtja e nderit dhe e personalitetit individual.

Aisheja r.a. transmeton se një herë i ka thënë Pejgamberit a.s.: “Çka të duhet Safija e tillë siח është?” (Me këtë ka dashur të thotë: ‘Safija trupshkurtër’). Pejgamberi a.s. atëherë i thotë Aishes: “Ke thënë një fjalë të madhe e cila do ta hidhëronte edhe detin, sikur ta përzieje me të” (Pra, sikur këtë fjalë t’ia kishe thënë Safijes dhe detit, jo vetëm Safija po edhe deti do të ishte hidhëruar).

Sa ka gjunah njeriu i cili i merr të tjerët nëpër gojë, po aq ka gjunah edhe ai që e dëgjon dhe nuk ndërhyn ta pengojë përgojuesin. Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Përgojuesi dhe ai që e dëgjon përgojuesin janë shokë të barabartë në gjunah!”

Vëlla i dashur dije se, nëse ky shoku yt tani po e merr nëpër gojë një njeri tjetër, kur do të jetë me një tjetër në bisedë, do të të marrë nëpër gojë edhe ty. Atë që tani ia bën dikujt tjetër, herën tjetër do të ta bëjë ty.

All-llahu na ruajttë prej këtyre të ligave dhe na begatoftë me virtytet e vlerat më të larta! AMIN!

 

 

Mos lejo të të mundin gjërat e imëta!

 

„Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm” (en-Nisa’:31).

Vëllezër të nderuar muslimanë!


Frika nga sendet dhe gjërat e mëdha njeriun shpesh herë e largon që të mos ballafaqohet me to. Kështu, secili njeri ka frikë të marrë një dozë të madhe të helmit, për shkak të rrezikut të qartë që mund të lindë prej ngrënies së tij. Mirëpo, ai nuk ia var veshin sa duhet, p.sh., marrjes së sasive më të vogla të helmit, të fshehura në disa ushqime apo enë të palara etj. Ndaj edhe shpesh herë atë e godet e njëjta sëmundje apo edhe vdekje si atë që e shkakton edhe sasia e madhe e helmit apo plumbi i armës.

Duke ua tërhequr vërejtjen njerëzve të ummetit të vet për kryerjen e gjunaheve të vogla nga frika se ato mund të grumbullohen e ta mbisundojnë atë, Pejgamberi a.s. i thërret muslimanët të kenë kujdes ndaj gjunaheve të vogla e t’u shmangen atyre sa më shumë që të jetë e mundur. Ai u thotë besimtarëve t’u largohen punëve me të cilat do ta kënaqin shejtanin, ashtu siç kënaqet ai me rënien e tyre në baltën e mëkatit. Ai thotë: “Shejtani e ka humbur shpresën se idhujt do të mund të adhurohen në tokat arabe, mirëpo ai do të jetë i kënaqur me punët që juve do t’ju duken të vogla e të imëta, kurse në Ahiret do t’ju çojnë në humbje!”.

Ne zakonisht ndeshemi me raste të rënda e të padurueshme në jetën tonë duke treguar një guxim e trimëri të rrallë e të paparë, kurse më vonë lëshohemi pas sendeve e punëve të imëta që ato të na sundojnë. Sa e sa luftëtarë kanë kaluar nëpër luftëra, kurse më në fund kanë vdekur për sende të kota e të parëndësishme?!

Pejgamberi a.s. këto punë ua ka sqaruar shokëve të vet në bazë të rrethanave të Arabisë. Kështu Sa’d bin Xhenadeh rrëfen se kur Pejgamberi a.s. është kthyer nga Hunejni, u mblodhëm në një vend të shkretë, e ai na tha: “Mblidhni...kush gjen diçka le ta sjellë! Kush gjen ndonjë dru apo degë le ta sjellë! Nuk kaloi as një orë bile, ne mblodhëm një turmë të madhe drurësh. Atëherë Muhammedi a.s. na tha: “E shihni këtë turmë?! Kështu mblidhen gjunahet te njeriu, siç i keni mbledhur ju këta drunj. Prandaj të keni frikë e drua All-llahun për gjunahet e mëdha e të vogla që i bëni, sepse të gjitha ato shënohen e regjistrohen (nga ana e melekve)!”.

Secili njeri i mençur duhet të mbajë llogari për punët që i bën. Ndonjëherë nuk ua var veshin atyre për shkak se i duken të imëta, mirëpo të njëjtat mund ta çojnë në humbje. Ashtu siç e humbin njeriun gjunahet e vogla, po kështu atë e humb edhe ndonjë gabim i vogël pas të mirave të tjera që i ka bërë më parë. Është për të ardhur keq se disa njerëz e shikojnë vetëm atë anën negative, atë punën e vogël të keqe dhe në bazë të saj pastaj japin gjykime të mëdha për krejt sjelljet e tij duke i vlerësuar të gjitha si të këqija, duke i harruar me këtë rast të mirat tjera të mëdha e më të shumta që i ka bërë.

Duke marrë parasysh këtë, shumë njerëz e humbin harmoninë midis tyre vetëm për shkak të disa gabimeve të vogla, e humbin ndoshta edhe shokun e jetës për hiç gjëra. Një psikolog thotë: “Vërtet shumë imtësi në jetën bashkëshortore mund t’ua marrin mendtë bashkëshortëve dhe të shkaktojnë gjysmën e sëmundjeve të zemrës prej të cilave vuan sot e gjithë bota”. Kështu prononcohen edhe mjaft gjykatës botërorë: “Shumica e zënkave dhe e problemeve fillojnë nga sende të vogla e të parëndësishme, të cilat pastaj kallen flakë e shpërthejnë në probleme të mëdha e të pakrye”.

Ç’është ilaçi i kësaj?

Ta pastrojmë mirë pasqyrën e trurit që të mund ai t’i marrë realisht dhe ashtu siç janë fotografitë që paraqiten para saj, fotografi që nuk i ndot teprimi dhe që nuk i bastardon ëndja (qejfi). E pastaj të gjykojmë në bazë të atyre pamjeve të mëdha me një shikim më të gjerë, pa mos anuar në dëm të së vërtetës.

Zoti na begatoftë me një vetëdije të këtillë e na mundësoftë t’i shmangemi çdo gjunahi të madh e të vogël! AMIN!

 

 

Gjashtë ditët e muajit Shevval

 

Vëllezër të nderuar!

Sot janë mbushur 4 ditë që nga përfundimi i muajit të bekuar të Ramazanit dhe që kur po e festojmë gëzimin tonë të madh, Fitër Bajramin. Është kjo një festë që vjen menjëherë mbas kryerjes me sukses të një ibadeti të madh fetar, që është agjërimi. E si të mos gëzohet besimtari agjërues dhe i përkulshëm i Zotit, kur drejtpërdrejtë për të All-llahu xh.sh. thotë në ajetin e Kur’anit fisnik që e lexuam në fillim të hutbes:

“All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me Xhennet... (Xhennetlinj janë) ata që pendohen, që sinqerisht bëjnë ibadet, që falënderojnë, që agjërojnë, që bien në ruqu e në sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat dhe ata që i ruajnë kufijtë (porositë) e All-llahut. Pra, përgëzoji (jepu myzhde) besimtarëve!” (et-Teubeh:111-112).

Rëndësia e kësaj dite të madhe festive shihet edhe nga ndalesa e të agjëruarit që e ka sjellë Islami për ditën e parë të Bajramit. Kjo duhet të jetë një ditë që duhet të shijohen të mirat dhe begatitë e All-
llahut xh.sh. dhënë njerëzimit, edhe atë në mënyrë të përbashkët e vëllazërore me gjithë muslimanët.


Mirëpo, kjo gjithsesi se nuk nënkupton edhe mbarimin e të gjitha punëve e detyrave që njeriu i ka ndaj vetvetes, ndaj të tjerëve e ndaj Zotit. Besimtari i sinqertë duhet të jetë mbushur me plot energji e entuziazëm ndaj punëve të fesë, ngase ka dalë prej agjërimit i freskuar e i ripërtërirë si në aspektin fizik ashtu edhe në atë shpirtëror. Dhe kjo gjithsesi nuk do ta lërë këtë musliman ashtu të ngathët e të mbushur me krenari e vetëbindje se ja, unë mbarova me këto punët e fesë dhe insha’allah takohem me xhaminë e me fenë në Ramazanin e vitit të ardhshëm. Jo. Muslimani nuk është musliman vetëm një muaj, ai nuk është njeri e rob vetëm një muaj, e që pastaj të pavarësohet prej Zotit, të mos ketë nevojë për fe e Zot dhe të jetë i vetëmjaftueshëm. Ai vazhdon edhe më tej të ketë nevojë për Zotin dhe fenë e Tij.

Andaj, si një vazhdimësi e ibadetit të madh të agjërimit, Pejgamberi a.s. na ka lajmëruar se për ta shpërndarë efektin e Ramazanit në tërë vitin që pason, është mirë të agjërohen edhe 6 (gjashtë) ditë të muajit Shevval, në të cilin gjendemi tani, e që vjen menjëherë mbas muajit të Ramazanit. Në një hadith të tij, ai thotë: „Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atij ia bashkëngjit edhe 6 ditë të Shevvalit, do t’i llogaritet sikur të kishte agjëruar tërë vitin”.

A ka më mirë se gjithë vitin të jesh i përkulur ndaj Zotit tënd, gjithë vitin të jesh musliman, gjithë vitin ta ndiesh nevojën për Zotin e që Ai Zot gjatë gjithë vitit të të ketë nën kujdesin dhe mëshirën e Vet?

Si mund që 30 ditë të Ramazanit plus 6 të Shevvalit të llogariten sa një vit i plotë?

Në një hadith që e transmeton Theubani, thuhet: “Agjërimi i muajit të Ramazanit vlen sa 10 muaj, kurse 6 ditët e Shevvalit sa 2 muaj. Këto gjithsej bëjnë 12 muaj”.

Kjo mbështetet në fjalën e vërtetë e të saktë të cilën e ka thënë Vetë All-llahu xh.sh. në Kur’an: “Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetë fish...” (el-En’am:160). Që do të thotë se 30 ditë të Ramazanit nga 10 fish është e barabartë me 300, kurse 6 ditë të Shevvalit gjithashtu nga 10 fish është e barabartë me 60, që gjithsej bëjnë 360 ditë, pra një vit të plotë.

Është mirë që këto 6 ditë të Shevvalit të agjërohen menjëherë mbas ditës së parë të Bajramit, por ka mundësi që ato të agjërohen edhe veח e veח, ose nga dy ditë për secilën javë.

All-llahu xh.sh. mos e ndaltë mëshirën dhe dhembshurinë e Vet ndaj nesh dhe na bëftë prej robërve të Tij që gjatë gjithë jetës sonë ta njohim Atë si Zot e t’i përkulemi Atij, ashtu siח e meriton. AMIN!

 

 

Duke e përcjellë Ramazanin

 

Vëllezër të nderuar!

Ja sot është dita e 26 e muajit të bekuar të Ramazanit, kurse sonte është nata e madhe e Kadrit.

Ishte ky muaji për të cilin shumëkush e kishte gajle se si do ta fillojë e si do ta mbarojë me agjërim në gojë. Deshi Zoti që njerëzit të cilët e dëgjojnë dhe e respektojnë fjalën e Tij, ta kalojnë këtë muaj sikur të kishte zgjatur disa ditë të shkurtra, ngase besimtarin e drejtë e të vërtetë nuk e lodh ibadeti ndaj All-llahut xh.sh., nuk e lodhin porositë dhe ndalesat e Tij dhe nuk bezdiset prej tyre, sepse ai është i vetëdijshëm se të gjitha këto porosi e ndalesa janë në favor të tijin, janë për të mirën e tij, prandaj edhe e sheh atë besimtar me kokë të ulur e të strukur në vetvete duke menduar se a thua do t’ia pranojë Zoti gjithë këto ibadete e përpjekje të tij që i ka bërë për ta fituar kënaqësinë e Zotit. Për besimtarët e këtillë dhe për ata që ngurruan dhe nuk iu bindën urdhrave të Tij, All-llahu xh.sh. në ajetet që i lexova në fillim të hutbes thotë: “A është i njëjtë ai që iu bind All-llahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërimin e All-llahut dhe që e ardhmja e tij është Xhehennemi, që është përfundim shumë i keq? Ata kanë dallim tek All-llahu, e All-llahu sheh shumë mirë atë që ata punojnë” (Alu Imran:162-163).

Pra, a mund të barazohet ai që agjëroi, fali namaz dhe i çoi në vend urdhrat e Zotit me atë që nuk deshi të dëgjojë për këto urdhra dhe që nuk iu bind fare atyre? Jo, natyrisht se jo. Zoti nuk do ta tolerojë këtë mosbarazim, sepse kjo do të ishte një padrejtësi për ata që u munduan, që u përpoqën në rrugën e Zotit. Përderisa grupin e dëgjueshëm Zoti thotë se do ta shpërblejë me çmime të larta dhe ashtu siç di Ai vetë, për grupin e dytë që nuk i respektoi urdhrat dhe porositë e Zotit, paralajmëron se përfundimi i tyre në botën tjetër do të jetë shumë i trishtueshëm e i tmerrshëm, do të jetë Xhehennemi i ndezur flakë. E ata që nuk i binden Zotit, sikur nuk po i frikësohen këtij dënimi, pa le të shohim..! Le të shohim se si do ta përjetojnë këtë!

Në një ajet tjetër në Kur’an lidhur me të njëjtën temë All-llahu xh. sh. thotë: “A mos do t’i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë? Apo do t’i konsiderojmë njësoj si ata që janë ruajtur prej të këqijave ashtu edhe ata që kanë qenë mëkatarë (gjunahqarë)?!” (Sad : 28).

Përderisa për të pabindurit e të padëgjueshmit Zoti premton dënim me Xhehennem e poshtërim në këtë dhe në botën tjetër, për besimtarët e drejtë që i plotësojnë disa kushte e që stolisen me disa virtyte të larta premton shpërblimin me Xhennet po edhe nder e nam në këtë dhe në botën tjetër. Pra janë do punë që shumë qartë i ka dëgjuar dhe kuptuar çdokush, mbetet vetëm të realizohen, ndaj dhe këtu lind përgjegjësia dhe dallimi midis njerëzve. All-llahu xh.sh. thotë: “All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me Xhennet...(Xhennetlinj janë) edhe ata që pendohen, që sinqerisht bëjnë ibadet, që falënderojnë, që agjërojnë, që bien në ruqu e në sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat dhe ata që i ruajnë kufijtë (porositë) e All-llahut. Pra, përgëzoji (jepu myzhde) besimtarëve!” (et-Teuvbeh:111-112).

All-llahu xh. sh. na bëftë prej këtij grupi njerëzish të përgëzuar me Xhennet e me shpëtim, e jo prej atyre për të cilët Pejgamberi a. s. është detyruar nga Xhebraili a.s. që tri herë të thotë “Amin!”. Kështu, Pejgamberi a.s. tregon se duke qenë një ditë ai në hutbe vjen Xhebraili a.s. dhe i thotë: ‘O Muhammed! Kush e mbërrin muajin e Ramazanit dhe i kalon pa iu falur gjunahet, Zoti e largoftë nga mëshira e Tij! Thuaj: Amin!’ Thash: ‘Amin!’. ‘O Muhammed! Kush i mbërrin të dy prindërit ose njërin prej tyre dhe nuk e shtyjnë në Xhennet (me shërbimin dhe respektin që duhet bërë ndaj tyre), Zoti e largoftë nga mëshira e Tij! Thuaj: Amin!’ Thash: ‘Amin!’. ‘O Muhammed! Kush nuk të përshëndet (nuk të çon selam e salavat) kur të përmendet emri yt, Zoti e largoftë prej mëshirës së Tij! Thuaj: Amin!’ Thash: ‘Amin!’.

All-llahu na shpëtoftë e mos na largoftë kurrë prej mëshirës dhe dhembshurisë së Tij, e na shpërbleftë për përpjekjet që jemi duke i bërë për hir të Tijin! AMIN!

 

 

Sëmundja e zemrës

 

Vëllezër të nderuar!

Vazhdojmë me serinë e hutbeve ku i trajtojmë sëmundjet e zemrës dhe rrugët për shërimin e saj. Nuk kemi për qëllim shërimin e organit të vogël e të rrumbullakët që gjendet në gjoksin e njeriut, sepse me të drejtpërdrejtë merret një shkencë e quajtur kardiologji, porse kemi parasysh atë që e quajmë shpirt, frymë, ego, mendje, vetëdije etj., pra botën e brendshme të njeriut.

Që të mund trupin, dorën, këmbën, syrin dhe organet tjera t’i kemi të shëndosha, duhet që secila prej këtyre organeve ta bëjë punën për të cilën edhe është krijuar. Që të mund zemra të jetë e shëndoshë sikurse këmba që ec mirë dhe syri që sheh mirë, duhet që asaj t’i vijë lehtë dhe ta dojë bëjë punën për çka është krijuar. Kurse zemra këtë e arrin nëpërmjet dy sendeve: vullnetit dhe fuqisë.

Me anë të vullnetit ajo nuk do asgjë më tepër sesa All-llahun xh.sh. Sepse, ashtu si gjella që është ushqim i trupit, edhe njohja dhe dashuria ndaj Zotit është ushqim i shpirtit. Një trup që nuk dëshiron të hajë gjellë ose që pak dëshiron të hajë, ai trup është i sëmurë. Po kështu, edhe një zemër që nuk bart dashurinë ndaj All-llahut ose që pak e bart, edhe ajo është e sëmurë. All-llahu xh.sh., në ajetin të cilin e lexuam në fillim të hutbes, thotë: „Thuaj (o Pejgamber): Në qoftë se baballarët tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e keni fituar, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se pejgamberi i Tij, atëherë pritni derisa All-llahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur“ (et-Teubeh:24).

Me anë të fuqisë zemrës i vjen lehtë dhe kollaj t’i realizojë e t’i çojë në vend urdhrat e All-llahut xh.sh. Për t’iu bindur këtyre urdhrave, kësaj zemre të shëndoshë nuk i duhet detyrim nga jashtë. Përkundrazi, asaj zemre i vjen lezet dhe qetësohet kur ta dëgjojë urdhrin dhe porosinë e All-llahut xh.sh. Prandaj edhe Pejgamberi a.s., që kishte zemrën më se të shëndoshë në një hadith të tijin thotë: “Qetësinë dhe lezetin e zemrës sime e ndjej në namaz” (pra, në atë që më ka urdhëruar Zoti).

Njeriu që me zemrën e tij nuk e do Zotin më shumë se gjithçka dhe që me qetësi nuk mund t’i kryejë urdhrat e Zotit, ai ka zemër të sëmurë. Ai duhet të mundohet ta shëndoshe atë. Herë-herë njeriu mendon se i ka këto cilësi të mira të zemrës, mirëpo ai mashtrohet, sepse shpeshherë ai vetë nuk mund t’i shohë të metat e shpirtit të vet.

Njeriu, të metat dhe mangësitë e tij mund t’i njohë nëpërmjet 4 rrugëve:

1. Duke lexuar me vëmendje të plotë Kur’anin a.sh. dhe fjalët e Pejgamberit a.s., sepse ata janë mësuesit dhe këshilluesit më të mirë për zemrën e njeriut.

2. Duke e marrë për shok e mik një njeri shpirtbutë e të këndshëm. Sepse kur ky të bëjë një punë të pahijshme, ai nuk ia mbulon apo nuk ia zmadhon atë, porse ia thotë në fytyrë se ka bërë punë të pahijshme. Me këtë ai i përmirëson sjelljet e veta të pahijshme. Davud et-Taiun (një musliman alim dhe shpirtpastër) e kanë pyetur: “Pse nuk shoqërohesh me njerëzit?” Ai është përgjigjur: “Çka të bëj me shoqërimin e njerëzve të cilët të metat dhe mangësitë e mia i fshehin prej meje?!” (Pra, nuk m’i tregojnë gabimet që të mund t’i përmirësoj ato).

3. Duke i dëgjuar fjalët dhe qortimet që i thonë armiqtë e tij. Sepse armiku i shikon vetëm të metat dhe mangësitë. Edhe pse në të vërtetë armiku shpeshherë i zmadhon punët, mirëpo ka shumë gjëra të vërteta e të sakta në fjalët e tij.

4. Duke i shikuar punët e pahijshme të të tjerëve dhe duke u larguar prej atyre sjelljeve me mendimin se mund edhe unë t’i kem ato. E kanë pyetur Isain a.s.: “Nga e mësove këtë sjellje të hijshme dhe fisnike?” Ai u është përgjigjur: “Prej askujt. Vetëm duke u larguar prej punëve të këqija e të shëmtuara që i bënin të tjerët”.

All-llahu na ruajttë prej të ligave dhe na e begatoftë zemrën me dashuri ndaj Tij dhe pejgamberit e fesë së Tij! AMIN!

 

 

  1. Zemra dhe dobësia e imanit
  2. Në pritje të Ramazanit
  3. Vdekja - përkujtuesi më i mirë
  4. Nata e Beratit
  5. Të jesh mbjellës i së mirës apo i së keqes?

Seite 1 von 4

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Mektebi

  • Orari mësimor
  • Programi mësimor
  • Kontakto imamin
  • Fjalëkryqa
  • Kuize
  • Tregime për fëmijë
  • Ezani dhe ikameti
  • Si ta fali namazin?
  • Aktivitetet e Mektebit

Pyetje & Përgjigje

  • Përgjigje fetare - Mr. Rehan ef. Neziri

Kërko...

Na ndiq në:

Facebook

Youtube

Bëhu anëtar!

Swiss Mosque

 

Hutbe 1 - Mr. Rehan ef. Neziri

  • Bartja e fjalëve të huaja (Nemimeh)
  • Brengat dhe vështirësitë e jetës
  • Burrëria?
  • Dashuria për hir të Allahut xh.sh.
  • Dhjetë ditët e Dhul-Hixhxhes
  • Duke e përcjellë Ramazanin
  • Emërtimi i fëmijëve me emra të bukur islamë
  • Gjashtë ditët e muajit Shevval
  • Hyrja në tre muajt e bekuar
  • Israja dhe Miraxhi

Hutbe 2 - Mr. Rehan ef. Neziri

  • Marja - turpi
  • Mos lejo të të mundin gjërat e imëta!
  • Namazi i xhumasë
  • Nata e Beratit
  • Në pritje të Ramazanit
  • Pastërtia morale
  • Përgojimi (Gibeti)
  • Puna në Islam
  • Pushimet dhe argëtimi
  • Ripërtërije jetën tënde

Hutbe 3 - Mr. Rehan ef. Neziri

  • Roli i fesë në jetën shoqërore
  • Rritja e brezave të rinj në frymën islame
  • Sëmundja e zemrës
  • Shërbyesit e Allahut xh.sh.
  • Syri i zemrës
  • Të gjitha sjelljet tona regjistrohen
  • Të jesh mbjellës i së mirës apo i së keqes?
  • Vdekja - përkujtuesi më i mirë
  • Vlera e njeriut në Islam
  • Zemra dhe dobësia e imanit