BASHKËSIA ISLAME SHQIPTARE “HËNA E RE” NË KREUZLINGEN

Shkurt:  BISH

                                                                            

 

S T A T U T I

 

Shkarko Statutin në PDF

 

1.0   EMRI, SELIA

1.1  Nën emrin “Bashkësia Islame Shqiptare – Hëna e Re” ekziston një shoqatë jofitimprurëse dhe politikisht neutrale, e themeluar në përputhje me nenet 60 e vijues të Kodit Civil të Zvicrës.

1.2  Selia e Bashkësisë Islame Shqiptare (BISH) është në Kreuzlingen / TG.

 

2.0  QËLLIMET, SYNIMET, KOHËZGJATJA DHE VEPRIMTARIA

2.1  Qëllimi i BISH në Kreuzlingen është krijimi i një platforme kulturore e fetare si dhe i një vendtakimi për bashkësinë.

2.2  Për krijimin e atmosferës së nevojshme të takimit dhe të një niveli të shkëmbimit të mendimeve, BISH mban një qëndrim të qartë, në të cilin përfaqësohet vetëm pozicioni i Islamit mesatar.

2.3  Ekstremizmi dhe/ose fanatizmi i çfarëdo forme nuk tolerohen dhe nuk mbështeten nga BISH.

2.4  BISH synon integrimin e muslimanëve në qytetin e Kreuzlingenit dhe rrethinën e tij dhe, si anëtare e sas, kontribuon në mënyrë aktive në arritjen e qëllimeve, synimeve dhe filozofisë së Organizatës Islame të Zvicrës Lindore dhe Lihtenshtajnit, e njohur shkurt si DIGO.

2.5  BISH angazhohet për promovimin e dialogut ndërfetar dhe do të përpiqet në mënyrë të vazhdueshme të ndërmarrë çdo veprim për forcimin dhe ruajtjen e paqes ndërfetare në shoqërinë vendase.

2.6   BISH është themeluar për një kohëzgjatje të pacaktuar.

2.7   BISH angazhohet për veprim të pavarur. Veprimtaria e saj nuk mund dhe nuk duhet të jetë në kundërshtim me qëllimet e sipërpërmendura, e as të drejtohet kundër parimeve themelore islame.

 

3.0  MJETET FINANCIARE

3.1  BISH është, në parim, financiarisht e pavarur.

3.2  Financimi i BISH sigurohet nga:

       -  kontributet e anëtarëve,

       -  subvencionet,

       - donacionet e pakushtëzuara,

       - trashëgimitë dhe legatet,

       - kontributet e donatorëve (mbështetësve),

       - të ardhurat nga veprimtaritë dhe organizimet e veta.

3.3   Mjetet financiare, si edhe tepricat që rezultojnë nga llogaria vjetore, përdoren në mënyrë të vetme dhe të pakthyeshme për realizimin e qëllimeve dhe synimeve të shoqatës.

 

4.0  ANËTARËT DHE ANËTARËSIA

4.1  Anëtarë të BISH janë personat që i njohin dhe i pranojnë parimet fetare, morale dhe etike të Islamit.

4.2  BISH njeh:

       a) anëtarë të rregullt

       b) anëtarë jo të rregullt

       c) anëtarë nderi

4.3  Anëtarësimi në Bashkësinë Islame Shqiptare (BISH) mund të kërkohet në çdo kohë me anë të një kërkese me shkrim. Vendimin për pranimin e anëtarit e merr Kuvendi i Përgjithshëm.

 

5.0   KONTRIBUTET E ANËTARËVE

5.1  Shuma e kontributeve të anëtarëve përcaktohet nga Kuvendi i BISH.

5.2  Kontributet e anëtarëve paguhen çdo muaj ose çdo vit dhe paraprakisht.

 

6.0   DALJA, PËRJASHTIMI, DORËHEQJA

6.1   Anëtarësia përfundon kur:

        -  një anëtar paraqet me letër rekomande kërkesën e tij për dalje nga shoqata drejtuar Kryesisë;

       -  një anëtar përjashtohet, për arsye të pranueshme, me vendim të shumicës prej tre të katërtave të votave të Kuvendit të BISH.

6.2   Çdo anëtar mund të paraqesë ankesë kundër vendimit për përjashtim brenda afatit prej dhjetë ditësh, përmes një kërkese me postë të rekomanduar. Në këtë rast, vendimin përfundimtar e merr Këshilli Mbikëqyrës i BISH. Vendimi i këtij organi është përfundimtar.

6.3  Anëtarët që dalin ose përjashtohen nga BISH nuk kanë asnjë të drejtë pretendimi mbi pasurinë e shoqatës.

 

7.0   ORGANIZIMI

7.1    Organet e BISH janë:

         -  Kuvendi

         -  Kryesia

         -  Këshilli Mbikëqyrës i BISH

 

8.0   KUVENDI

8.1   Kuvendi është organi më i lartë i BISH. Ai thirret një herë në vit në mbledhje të rregullt.

8.2   Kuvendi ka këto detyra:

        -  Zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të BISH,

        -  Përcaktimin e shumës së kontributeve të anëtarëve,

        -  Rishikimin dhe ndryshimin e Statutit.

8.3   Vendimet merren me shumicë absolute të votave të të pranishmëve.

8.4   Kuvendi është i vlefshëm për marrjen e vendimeve kur arrihet kuorumi prej dy të tretash të anëtarëve. Nëse kuorumi nuk arrihet, Kuvendi thirret përsëri dhe, në këtë rast, ai konsiderohet i vlefshëm për vendimmarrje, pavarësisht numrit të të pranishmëve.

8.5   Kuvendi zhvillohet në gjuhën shqipe, por pjesërisht edhe në një nga gjuhët zyrtare të Zvicrës.

8.6   Pikat e rendit të ditës duhet të bëhen të njohura më së voni një javë para mbajtjes së Kuvendit.

 

9.0   KRYESIA

9.1   Kryesia përbëhet nga: kryetari, nënkryetari, dy sekretarët, dy arkëtarët, kontabilisti, dy anëtarë të kryesisë, si dhe imami, i cili merr pjesë si anëtar konsultativ pa të drejtë vote.

9.2    Kryesia zgjidhet çdo katër vjet. Rizgjedhja është e mundur.

9.3    Anëtarët që zgjidhen rishtazi në Kryesi duhet të kenë qenë anëtarë të BISH për së paku dy vjet para zgjedhjes së tyre.

9.4    Kryesia i drejton punët e BISH dhe i zbaton vendimet e Kuvendit.

9.5    Kryesia ushtron detyrën në mënyrë vullnetare; kjo do të thotë se të gjitha punët e kryera nga anëtarët e saj nuk shpërblehen financiarisht.

9.6   Anëtarët e Kryesisë mund ta paraqesin dorëheqjen e tyre duke respektuar një afat njoftimi prej tre muajsh, me efekt në fund të muajit, përmes një kërkese të dërguar me postë të rekomanduar drejtuar kryetarit të Kryesisë.

9.7    Është në kompetencën e Kryesisë që, në rastet e parashikuara në pikën 9.6, të thërrasë një Kuvend të Jashtëzakonshëm të me qëllim zgjedhjen e anëtarit ose anëtarëve zëvendësues.

 

10.0   KËSHILLI MBIKËQYRËS

10.1   Kuvendi e zgjedh Këshillin Mbikëqyrës të BISH për një mandat katërvjeçar. Ky këshill përbëhet nga të paktën tre persona. Rizgjedhja e tyre lejohet vetëm një herë.

10.2   Anëtarët që zgjidhen rishtazi në Këshillin Mbikëqyrës duhet të kenë qenë anëtarë të BISH për të paktën dy vjet para zgjedhjes së tyre.

10.3   Detyrat themelore të Këshillit Mbikëqyrës janë me karakter këshillues dhe mbikëqyrës në raport me Kryesinë dhe me komisionet apo organet e tjera të BISH.

10.4   Nëse Këshilli Mbikëqyrës konstaton parregullsi ose mospërputhje në punën e Kryesisë apo të ndonjë komisioni tjetër dhe nuk arrihet marrëveshje me organin përkatës, ai ka të drejtë ta thërrasë Kuvendin dhe t‘i informojë anëtarët mbi vërejtjet e tij. Kuvendi vendos më pas për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren.

 

11.0   MBAJTJA E LLOGARIVE

11.1   BISH mban regjistrim kontabiliteti për të gjitha fushat e saj të veprimtarisë financiare.

11.2   Regjistrat financiarë duhet t’u paraqiten, më së voni një muaj para mbajtjes së Kuvendit, kontrolluesve të llogarive, të caktuar nga Kryesia.

11.3   Kontrollimi i llogarive kryhet nga dy kontrollues financiarë (revizorë); këta revizorë nuk duhet të jenë anëtarë të Kryesisë apo të Këshillit Mbikëqyrës të BISH.

11.4   Raporti i kontrolluesve financiarë (revizorëve) duhet t’i paraqitet Kuvendit për miratim ose refuzim.

 

12.0   PËRFAQËSIMI NDAJ PALËVE TË JASHTME

12.1   BISH përfaqësohet ndaj palëve të jashtme, në parim, nga kryetari; në rast pengese të tij, përfaqësimi kryhet nga nënkryetari.

12.2   Nënshkrimet e përbashkëta të kryetarit dhe arkëtarit, ose të nënkryetarit dhe arkëtarit, e obligojnë BISH në lidhje me çështjet e rregullta të veprimtarisë.

 

13.0   PËRGJEGJËSIA JURIDIKE

13.1    Për detyrimet e BISH përgjegjëse mbahet vetëm pasuria e saj.

13.2    Përgjegjësia personale e anëtarëve është e përjashtuar.

 

14.0   SHPËRBËRJA

14.1   Me vendim të shumicës prej tre të katërtave të anëtarëve, BISH mund të shpërbëhet në një mbledhje të rregullt ose të jashtëzakonshme të Kuvendit.

14.2   Në rast shpërbërjeje të shoqatës, çdo pasuri e mbetur duhet t’i kalojë një shoqate humanitare islame në Zvicër, e cila gëzon përjashtim nga tatimi.

 

15.0   NDRYSHIMI I STATUTIT

15.1   Ky statut mund të ndryshohet me shumicën prej dy të tretash të votave të Kuvendit. Kërkesa për ndryshim të statutit mund të parashtrohet nga shumica absolute e Kryesisë ose e Këshillit Mbikëqyrës të BISH. Kërkesa duhet të jetë përfshirë paraprakisht në listën e rendit të ditës.

15.2   Nëse në Kuvend nuk marrin pjesë të paktën dy të tretat e anëtarëve me të drejtë vote, atëherë thirret një Kuvend i Jashtëzakonshëm dhe vendimi merret në përputhje me nenin 8.4 të këtij statuti.

15.3   Çdo ndryshim i statutit, pas miratimit, hyn në fuqi menjëherë.

 

16.0   JURIDIKSIONI: Vendi i juridiksionit është Kreuzlingeni / TG. 

 

Kryetari: Xhaferi Faredin

Sekretari: Halili Besir

 

Kreuzlingen, më 10. 03. 2019