Bashkësia Islame Shqiptare “Hëna e Re” në Kreuzlingen, Zvicër
Xhamia jonë, me emrin zyrtar Bashkësia Islame Shqiptare “Hëna e Re”, që juridikisht funksionon si një shoqatë fetare, është ndër xhamitë e para shqiptare të themeluara në Zvicër. Ajo zyrtarisht është hapur më 1 janar 1993, në një sallë të vëllezërve Hager, në Kirchstrasse 5 f. Kontratën e parë të qirasë e kanë nënshkruar këta persona: Servet Qazimi (kryetar i xhamisë), Imer Mislimi dhe Besir Ziberi (të dy anëtarë të kryesisë).
Në mars të vitit 2007 u ble një objekt i ri në Romanshornerstr. 16 në Kreuzlingen. Gjashtë muaj pas nënshkrimit të kontratës, më 1 tetor 2007, nisën punimet e rinovimit dhe përshtatjes për nevojat e xhamisë. Pas pesë muajsh pune intensive, më 2 mars 2008, anëtarët përjetuan një ditë të gëzueshme dhe të shumëpritur: shpërnguljen nga objekti i vjetër në Kirchstr. 5 f, në objektin e ri në Romanshornerstr. 16.
Objekti i ri përfshin: Sallën e faljes për burrat, sallën e veçantë për gratë, një kafeteri, zyrën e kryesisë dhe të imamit dhe një klasë për mësimin fetar.
Në total, objekti ka rreth 400 m² hapësirë të përdorshme dhe mbi 30 vende parkimi, që i përgjigjen kryesisht nevojave të anëtarëve dhe vizitorëve. Në katin e parë dhe të dytë ka nga një banesë, të dhëna me qira. Në vitin 2024 xhamia e bleu edhe një objekt me tri banesa ngjitas me pronën e deritanishme të xhamisë. Edhe këto banesa janë dhënë me qira.
Xhamia, si një shoqatë që është, ka edhe statutin e saj si dhe kryesinë e përbërë nga 9 anëtarë.
Imami i rregullt është Mr. Rehan ef. Neziri, ndërsa mualime për gratë dhe vajzat e rritura është znj. Ibadet Neziri.
Xhamia jonë numëron mbi 400 familje anëtare, të cilat e mbështesin atë financiarisht me pagesën vjetore të anëtarësisë.
Veprimtaritë
Përveç pesë kohëve ditore të namazit dhe faljeve të bajramit, mbahen ligjërata dhe takime me anëtarë të moshave të ndryshme. Imami mban ligjërata para xhumasë dhe të dielave para namazit të drekës, në gjuhën shqipe, ndërkaq hutben e xhumasë dhe të bajrameve i mbanë në gjuhën gjermane.
Çdo të mërkurë pasdite, të shtunën dhe të dielën paradite, në klasën e xhamisë (mekteb) zhvillohet mësimi fetar për fëmijët nga klasa e dytë e deri në të nëntën. Më tepër për këtë shiko modulin e kësaj faqeje me titull "Mektebi".
Kryesinë e xhamisë në aktivitetet e saj brenda dhe jashtë xhamisë e mbështesin tri forumet e saj:
Xhamia jonë, kryesia bashkë me forumet e saj, organizon edhe një sërë aktivitetesh të tjera fetare, kulturore, sociale, sportive etj. Ndërsa secili prej këtyre forumeve zhvillon edhe shumë aktivitete të veçanta enkas për anëtarët e vet. Për më tepër kliko mbi "Aktivitetet..." e secilit forum lart.
Anëtarësimet
Në nivel komunal:
Xhamia jonë është bashkëthemeluese e Tryezës së Rrumbullakët të Feve (RTR) në Kreuzlingen (2008), bashkë me komunën politike, shkollat, kishën katolike, kishën protestante dhe xhaminë turke.
Si projekt i RTR, në vitin 2010 u fut mësimi i fesë islame në shkollat publike në Kreuzlingen. Për këtë u krijua Shoqata për Mësimin e Fesë Islame (VIUK - www.viuk.ch), një shoqatë e përbashkët e xhamisë sonë shqiptare, asaj turke dhe së fundi edhe asaj boshnjake nga Kreuzlingeni.
Në nivel kantonal e ndërkantonal:
Që nga viti 2003, xhamia është anëtare e Organizatës së Bashkësive Islame të Zvicrës Lindore dhe Princijpatës së Lihtenshtajnit (DIGO - www.digo.ch).
Në vitin 2010 u themelua Grupi Ndërfetar në Kantonin Thurgau (www.thurgau-interreligioes.ch), ku xhamia jonë është bashkëthemeluese.
Në nivel kombëtar:
Përmes DIGO-s, xhamia jonë është anëtare edhe e Federatës së Organizatave Islame të Zvicrës (FIDS - www.fids.ch), e themeluar më 2006.
Në vitin 2012 u themelua Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UAIS - www.uais.ch), kryetari i parë i të cilit ishte imami ynë, z. Rehan Neziri. Në vitin 2020 ky Union u shndërrua në Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ ose DAIGS - www.daigs.ch).





