Më 15 nëntor 2025, Forumi i Grave të xhamisë sonë festoi dhjetëvjetorin e themelimit të tij. Manifestimi i mbajt në sallën e madhe të qytetit „Dreispitz“ në Kreuzlingen, ku morën pjesë diku te 800 motra nga e mbarë Zvicra.
Programi filloi me këndim të disa pjesëve të Kur’anit fisnik nga hafizja Nakije Ismaili, mualime në Aarburg të kantonit Aargau.
Moderatoret znj. Zira Emini dhe znj. Mujasere Imeri-Cana e prezantuan shkurt rrjedhën e programit, pas çka mualimja e xhamisë sonë znj. Ibadet Neziri mbajti një fjalë përshëndetëse, ku e falënderoi kryetaren e Forumit Zuleja Nuredinin dhe të gjitha gratë e tjera për angazhimin e tyre të palodhshëm në ngritjen dhe zhvillimin e këtij Forumi.
Më pas, fjalë përshëndetëse pati kryetarja e Forumit znj. Zuleja Nuredini, e cila i përshëndeti të gjitha të pranishmet në sallë dhe foli shkurt për sfidat dhe arritjet e Forumit të Grave përgjatë këtyre dhjetë viteve. Ajo e falënderoi imamin dhe kryesinë e xhamisë, si dhe Forumin Rinor të xhamisë, për mbështetjen permanente që ia kanë ofruar Forumit të Grave. Në shenjë mirënjohjeje, nga gratë e Forumit, asaj iu dorëzua një dhuratë e çmuar.
Një film dokumentar prej 13 minutash e dokumentoi edhe njëherë në mënyrë ilustrative veprimtarinë e larmishme të Forumit të Grave brenda këtyre 10 viteve, e që përfshijnë: takimet e rregullta të grave në xhami nën moton „Çaj & Muhabet“, ligjëratat fetare dhe shkencore enkas për gratë gjatë Ramazanit dhe jashtë tij, hatmet e Kur’anit me vajzat e rritura dhe gratë e moshuara, mbështetje imamit, kryesisë dhe forumeve të tjera të xhamisë me raste të ndryshme, vizita xhamive në Zvicër dhe jashtë saj, angazhimi me banorët e azilit për pleq në Kreuzlingen, piknik në natyrë etj.
Motrat Merita dhe Hyrieta Burrniku, të ftuara enkas nga Kosova, e zbukuruan edhe më shumë dhe ia shtuan hijeshinë kësaj mbrëmjeje me ilahijet dhe kasidet e tyre të përzgjedhura mirë për këtë natë.
Kori i nxënësve të xhamisë sonë, i përgatitur me kujdes nga imami i xhamisë, performoi me disa ilahije dhe poezi të mrekullueshme.
Në emër të Departamentit të Grave pranë Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetarja e këtij departamenti znj. Elona Muça, e cila shprehu kënaqësinë që gjendet në mesin e kaq shumë motrave me rastin e rrallë në Zvicër, jubileun e dhjetë të Forumit të Grave të xhamisë sonë në Kreuzlinngen. Ajo i përcolli urimet e përzemërta të departamentit të saj dhe i përgëzoi motrat nga Kreuzlingeni për arritjet e tyre të çmuara nën ombrellën e Forumit të Grave.
Nën shoqërimin e moderatoreve të mrekullueshme të mbrëmjes, në skenë u shfaq veterania e Forumit të Grave, znj. Hanife Salii, përafërsisht 80 vjeçare, e mirënjohura si “Nëna Hanife”, e cila foli për angazhimin e grave në xhami dhe për mbresat si dhe emocionet e saj që po i përjetonte në këtë mbrëmje të veçantë.
Blina Cana, një vogëlushe e mrekullueshme, nxënëse e shkollës së gjuhës shqipe në Kreuzlingen, recitoi një poezi rreth rëndësisë së mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë.
Pedagogia nga Freiburgu, përndryshe docente në Shkollën e Lartë Pedagogjike në St. Gallen, znj. Nadire Mustafi mbajti një ligjëratë të shkurtër në gjuhën gjermane nën titullin “Çfarë përcjellim? Imazhi i gruas muslimane për brezin e ardhshëm”.
Pjesa e parë e mbrëmjes jubilare u mbyll me ilahijet e bukura të motrave Burrniku.
Pas një pauze, ku mysafiret mund të shërbeheshin me ushqime e ëmbëlsira të ndryshme, pjesa e dytë filloi sërish me këndimin e disa pjesëve nga Kur’ani fisnik, nga hafize Nakije Ismaili.
Pas saj, në foltore u shfaq teologia e njohur në Zvicër për ligjëratat e saj, hafize Emine Sopi, e cila foli rreth pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare-muslimane, me theks të veçantë në Zvicër.
Afro 40 fëmijë të Ansamblit të këngëve dhe valleve shqipe “Drita” nga Kreuzlingeni, performuan disa valle të njohura burimore shqipe, me çka e shtuan akoma edhe më shumë madhështinë e kësaj mbrëmjeje.
Pasuan ilahijet me tema të ndryshme të motrave Burrniku.
Juristja e mirënjohur znj. Lejla Medii-Dauti mbajti një ligjëratë të shkurtër në gjuhën gjermane nën titullin “Guximi, zëri, përgjegjësia: Forca e grave muslimane”.
Hana Mustafi nga Freiburgu me piano dhe Xhenisa Rexhepi nga Kreuzlingeni interpretuan një ilahije të bukur shqipe me temë për nënën. Hana Mustafi performoi me çifteli edhe këngën për legjendarin Adem Jashari.
Pas kësaj, Forumi i Grave u ndau nga një mirënjohje të gjitha sponsoreve të kësaj mbrëmjeje, afaristeve të njohura këtu në rreth e më gjerë.
Mbrëmja u mbyll me ilahije e kaside të interpretuara mrekullueshëm nga motrat Merita dhe Hyrieta Burrniku.
Ju faleminderit për pjesëmarrjen, për mbështetjen dhe për frymëzimin e motivimin që na dhatë që ne të vazhdojmë edhe më tutje në rrugëtimin tonë në ngritjen e vetëdijes, të pozitës dhe të avancimit të grave këtu në Kreuzlingen dhe jo vetëm.
Mirë u takofshim në raste të tjera më të këndshme!
Forumi i Grave "Hëna e re" në Kreuzlingen








































