Tryeza e Rrumbullakët e Feve organizon edhe këtë vit disa ngjarje në kuadër të Javës Kombëtare të Feve në Zvicër.
IRAS COTIS është rrjeti ndërfetar që e ka themeluar dhe e organizon çdo vit në Zvicër „Javën e Feve“.
Ne, nga Tryeza e Rrumbullakët e Feve në Kreuzlingen, edhe këtë vit marrim pjesë me ngjarjet në vijim dhe ju ftojmë përzemërsisht të merrni pjesë:
1. E hënë, 3 nëntor – ora 19:00 – Ulrichshaus, Gaissbergstrasse 1, Kreuzlingen
„Tek ne çdo gjë ishte krejt normale“
Kujtimet e një këngëtareje holandezo-hebreje në Gjermani
Ruth Frenk lindi në vitin 1946 në Roterdam, si bijë e një familjeje hebreje-holandeze që kishte mbijetuar kampin nazist të përqendrimit Bergen-Belsen. Autobiografia e saj „Tek ne çdo gjë ishte krejt normale – Kujtimet e një këngëtareje holandezo-hebreje në Gjermani“ trajton historinë e familjes së saj hebreje gjatë kohës së nazizmit dhe udhëtimin e saj të pasur në botën e kulturës në Evropë dhe SHBA. Që nga viti 1974 ajo jeton në Gjermani, ku si hebreje dhe bijë e të mbijetuarve të Holokaustit, është angazhuar fuqishëm kundër antisemitizmit, ndër të tjera edhe me shumë programe me këngë dhe chanson-e hebraike.
Hyrja e lirë. Pa regjistrim paraprak.
2. E martë, 4 nëntor – ora 19:30 – Xhamia turke, Bergstrasse 5a, Kreuzlingen
"Fillimi i bashkëjetesës ndërfetare – para 1400 vitesh"
Raport nga një udhëtim projekti ndërfetar për në „ekumenizmin“ e krishterë të hershëm në Tunizi
Ligjërues: Prof. Dr. Mouez Khalfaoui (Tübingen) dhe doktoranti Julian Schuler
Në antikitetin e vonë, krishterimi ishte feja dominuese në hapësirën mesdhetare dhe përtej saj. Nga Afrika e Veriut, Shën Augustini si teolog, filozof dhe ati i kishës, ndikoi për shekuj me radhë në mendimin evropian. Rreth vitit 630 filloi zgjerimi i islamit, pas të cilit arabët pushtuan Palestinën dhe Sirinë (636), Egjiptin (640/42) dhe deri më 698 gjithë Afrikën e Veriut. Sipas interpretimit të atëhershëm të ligjit islam, sundimtarët muslimanë ishin të detyruar të toleronin praninë e feve të tjera të Librit – pra të krishterëve, hebrenjve dhe në Persi zoroastrianëve. Ky raport udhëtimi shoqërohet me shumë pamje mbresëlënëse dhe nxit reflektim mbi bashkëjetesën ndërfetare edhe në ditët e sotme.
3. E premte, 7 nëntor – ora 19:00 – Ulrichshaus, Gaissbergstrasse 1
"Hinduizmi dhe gjendja e bashkëjetesës ndërfetare në Indi"
Ligjëratë nga At Dr. Joseph Palliyodil
Në ligjëratën e tij, prifti katolik Joseph Palliyodil, i cili është rritur dhe ka studiuar teologjinë në Indi, do të flasë për bashkëjetesën ndërfetare në një kontekst kryesisht hinduist. Në ngjarje do të marrin pjesë edhe të krishterë nga India.
Pas ligjëratës, do të ketë mundësi për diskutim dhe shkëmbim mendimesh.
4. E mërkurë, 12 nëntor 2025 – ora 19:30 – Salla e Bashkisë Weinfelden (Hubgasse 2, 8570 Weinfelden)
"Pozita e islamit në shoqërinë tonë"
Mbrëmje me kumtesa hyrëse dhe diskutim në panel
Muslimanët jetojnë në vendin tonë dhe janë pjesë e shoqërisë sonë. Por sa publik mund të jetë islami? A duhet muslimanët të sillen sa më pa zhurmë dhe të përshtaten me zakonet vendore? A është e mundur që ata ta jetojnë hapur kulturën dhe fenë e tyre dhe ta bëjnë atë edhe të dukshme? Si mund të dëgjohen zërat e tyre? Ku qëndrojnë kufijtë? Cilat janë frikërat? Kush mban pretendime për pushtet? Dhe si mund të rregullojë qeveria kantonale në mënyrë ligjore marrëdhëniet me bashkësitë fetare me status juridik privat?
Kumtesa hyrëse:
- Christina Aus der Au, presidente e Këshillit të Kishës Evangjelike të Kantonit Thurgau:
Pozita e islamit në shoqërinë tonë dhe mundësitë e bashkëjetesës mes feve dhe grupeve të ndryshme
- Matthias Loretan, president i Grupit të Punës Ndërfetar të Thurgaut:
Konteksti fetaro-politik i mësim-besimit islam (IRU) në kantonin Thurgau
Diskutim në panel:
- Walter Schönholzer, president i qeverisë së Kantonit Thurgau, Departamenti i Punëve të Brendshme dhe Ekonomisë
- Rehan Neziri, imam, Kreuzlingen
- Dilara Avsar, anëtare e kryesisë së partisë „Die Mitte“ Weinfelden, kandidate për Këshillin Kantonal
- Marcel Wittwer, anëtar i Këshillit Kantonal, EDU
Moderimi: Nicole Freudiger (Radio SRF, emisioni Perspektiven)
Drejtim: Thomas Bachofner, Jean-Pierre Sitzler
Hyrja e lirë. Pa regjistrim paraprak.







