Më 21 mars 2009, pas namazit të akshamit, Bashkësia Islame Shqiptare “Hëna e re” dhe Forumi i të Rinjve Muslimanë nga Kreuzlingeni, për hir të ditëlindjes së Muhammedit a.s. organizuan një kuiz diturie për të reja e të rinj.
Kuizi i zhvillua në Qendrën Kulturore e Sportive “Dreispitz” të Kreuzlingenit, ku morën pjesë 14 garues e garuese, prej 20 të paraqiturve paraprakisht, nga rajoni i Zvicrës Lindore, kryesisht nga qyteti i Kreuzlingenit, Wilit dhe Weinfeldes.
Gara u zhvillua në gjuhën gjermane, ashtu siç ishte paraparë, ngase aty morën pjesë shqiptarë e turq, me 500 pyetje të ndryshme nga lëmenjtë e besimit islam, të së drejtës islame, historisë islame, historisë së përgjithshme, shkencave natyrore, politikës, letërsisë, kulturës së përgjithshme, sportit etj.
Udhëheqës i programit ishte mr. Bekim ef. Alimi, imam në qytetin e Wilit, i cili pasi e prezantoi rrjedhën e programit ia dha rastin imamit nga qyteti fqinj i Gjermanisë, Konstanza, z. Hajati Jelkovan, të këndojë disa ajete kur’anore. Pastaj me radhë ua dha fjalët përshëndetëse personaliteteve në vijim: kryetarit të xhamisë së Kreuzlingenit, z. Faredin Xhaferi; imamit të xhamisë shqiptare të Zürichut, z. Nebi ef. Rexhepi – i cili të pranishmit i përshëndeti në emër të imamëve shqiptarë të Zvicrës; përfaqësuesit nga xhamia turke e Bürglenit, Ulu Camii, z. Mustafa Saka; koordinatorit të Bashkësive Islame Shqiptare për Zvicër, haxhi Sali Bajrami si dhe kryetarit të Federatës së Lidhjeve të Bashkësive Islame në Zvicër (FIDS), njëkohësisht edhe kryetar i Lidhjes së Bashkësive Islame në Zvicrën Lindore dhe Principatën e Lichtensteinit (DIGO), Dr. Hisham Maizar.
Pas leximit të rregullave të kuizit nga ana e jurisë, në përbërje të Xhelal Qazimit – kryetar, Alivebi ef. Mediut – anëtar dhe Murat Yavaş – anëtar, filloi raundi i parë i garuesve.
Garuesit që morën pjesë në këtë kuiz ishin:
1. Yasemin Özer - Kreuzlingen
2. Zulkufli Imeri - Kreuzlingen
3. Faruk Bağcı - Kreuzlingen
4. Irfan Ebibi - Kreuzlingen
5. Xhihan Bajrami - Kreuzlingen
6. Gjuljabije Amiti - Kreuzlingen
7. Çavuş Saygılı - Weinfelden
8. Erkam Dağlı - Bürglen
9. Ilir Zenuni - Wil
10. Tefik Osmani - Wil
11. Bajrame Osmani - Wil
12. Behar Zenuni - Wil
13. Nderim Iljazi - Wil
14. Sheyna Veliu - Wil
Pas raundit të dytë e të tretë, në finale mbetën: Yasemin Özer dhe Zulkufli Imeri, që të dy nga Kreuzlingeni. Pas një gare vërtet të nxehtë midis këtyre dy pjesëmarrësve, më në fund, me pyetje të veçanta për ta përfunduar kuizin, vendin e parë e zuri Zulkufli Imeri, të dytin Yasemin Özer dhe të tretin Gjuljabije Amiti.
Të gjithë garuesit, anëtarët e jurisë e udhëheqësi i programit morën nga një dhuratë simbolike e modeste, levha islame, nga ana e xhamisë, kurse fituesit e 3 vendeve të para morën këto çmime:
Vendi i parë, pos dhuratës nga xhamia, fitoi edhe 500 fr. zvicerane nga vetë pronari i agjencisë turistike “Durmo Tours”, z. Ismail Beluli.
Vendi i dytë, pos dhuratës nga xhamia, fitoi edhe 300 fr. zvicerane nga pronari i agjencisë turistike “Arsimi Company”, z. Harun Nuredini.
Vendi i tretë, pos dhuratës nga xhamia, fitoi edhe 200 fr. zvicerane nga pronari i Mishtores “Ardival”, z. Samet Iseini.
Kulmi i entuziazmit dhe i atmosferës së ngrohtë vëllazërore islame ishte momenti kur fituesit e vendeve të para, çmimet që i fituan në këtë mbrëmje, që ishte meritë e plotë e tyre, u deklaruan se përmes ndonjë organizate humanitare do t’i dërgonin ndihmë për familjet e viktimizuara në Palestinë, për çka edhe morën një duartrokitje të madhe nga ana e publikut.
Ne, të gjithë pjesëmarrësve në kuiz, e në veçanti fituesve të vendeve të para, ua urojmë fitoren dhe u dëshirojmë të gjitha të mirat në jetë e në ahiret, u dëshirojmë sukses në shkollë, studime e në vendin e punës.
Kemi shpresën se këta dhe të tjerë të rinj muslimanë do të marrin pjesë në kuizin e vitit të ardhshëm që do të mbahet, insha’allah, po me rastin e ditëlindjes së Muhammedit a.s. dhe që parashihet të shtrihet në mbarë Zvicrën.
Mirënjohjet tona të përzemërta ua shprehim të gjithë sponsorëve, anëtarëve të jurisë, udhëheqësit të programit, udhëheqësve të xhamisë, e në veçanti anëtarëve të Forumit të të Rinjve Muslimanë, të cilët angazhuan shokët e miqtë e tyre, me qëllim që ky organizim të përfundonte me sukses.
Më poshtë mund t'i shikoni disa foto nga kjo mbrëmje:
















