Mbrëmë, më 23 prill 2022, në hapësirat e xhamisë sonë u shtrua iftari i përbashkët tradicional për anëtarët e xhamisë, si një mirënjohje për mbështetjen e pakursyer që ata i japin xhamisë.

Mysafir të veçantë patëm Prof. Dr. Omer Xhemalin, kardiokirurgun e mirënjohur shqiptar, i cili prej disa vitesh jeton dhe vepron në Zvicër dhe që deri më tani ka kryer një numër të madh transplantimesh të zemrës. Ai na ligjëroi rreth temës që ka të bëjë me dhurimin e organeve, në radhë të parë të zemrës. Paraprakisht na sqaroi çështjen e referendumit që do të mbahet në Zvicër në muajin maj që vjen, e më pas shpjegoi procedurat që ndiqen gjatë transplantimit të një organi në Zvicër, për të përfunduar me një apel që të deklarohemi për dhurimin e organeve pas vdekjes klinike. Më pas pasuan pyetje nga të pranishmit.

Dr. Xhemalin e shoqëroi edhe familja e tij e ngushtë: babai, z. Servet, ish-drejtor shkolle në fshatin Përshefcë të Tetovës; nëna e tij, znj. Remzie, ish-mësuese në të njëjtën shkollë; si dhe bashkëshortja e tij. Një surprizë e këndshme ishte edhe prania e afaristit dhe filantropit të njohur shqiptar z. Lazim Destani me bashkëshorten e tij. I pranishëm ishte edhe afaristi z. Ismail Beluli, pronar i «Durmo Tours», si dhe shumë shkollarë e afaristë të tjerë nga mesi i xhematit tonë.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të xhamive përreth nesh, si ata të Salmsachut, me imamin Mr. Mixhit ef. Osmani, si dhe ata të Rorschachut dhe Sulgenit.

Ne i falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, me në krye mysafirët e veçantë, për prezencën dhe për nderin që na ofruan në këtë iftar. Allahu i shpërbleftë me mirësitë e Tij të pafund!

Një falënderim të veçantë shprehim për tri forumet e xhamisë sonë: Forumin e të Rinjve, Forumin e Grave dhe grupin punues „Networking“, për mbështetjen e tyre të pakursyer në përgatitjen dhe shtrimin e iftarit. Allahu i shpërbleftë me Xhennetu’l-Firdeus! Amin!

Kryesia e xhamisë