Xhamia jonë mbrëmë, më 16 prill 2022, organizoi iftar për anëtarët e Forumit të të Rinjve dhe të Rejave të xhamisë sonë.
Të pranishëm ishin mbi 50 të rinj e të reja nga Kreuzlingeni me rrethinë. Iftarin e begatoi edhe prania e përfaqësuesve të sektorit për rini pranë DIGO-s, me në krye Eldar Hasanin.
Fillimisht, imami i xhamisë, mr. Rehan ef. Neziri, u mbajti të pranishmëve një ligjëratë në gjuhën gjermane lidhur me rregullat e agjërimit, ku në fund të pranishmit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje lidhur me temën në fjalë.
Më pas, në kafeterinë e xhamisë u shtrua iftari me një specialitet meksikan „Fajita“ dhe ëmbëlsira që i kishin përgatitur disa vajza të Forumit.
Me këtë rast, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Forumit të të Rinjve, Arben Bajrami, si dhe përgjegjësi për rininë pranë DIGO-s, Eldar Hasani.
Me duanë e bukës nga ana e imamit R. Neziri, u mbyll me sukses edhe një ngjarje shumë me peshë për të rinjtë dhe të rejat e xhamisë sonë.
Një falënderim të veçantë për përgatitjen dhe shtrimin e këtij iftari meritojnë edhe anëtaret e Forumit të Grave Muslimane të xhamisë sonë, me në krye znj. Zuleja Nuredini, mualimen znj. Ibadet Neziri dhe anëtaren e kryesisë së xhamisë znj. Xhemile Fetai.
Shumë faleminderit për pjesëmarrjen! Allahu ju shpërbleftë dhe u takofshim në raste të tjera të këndshme!















