Sot, më 6 mars 2022, në hapësirat e xhamisë sonë, u zhvillua takimi i radhës me afro 25 të rinj dhe të reja shqiptare muslimane nga Kreuzlingeni dhe rrethina.

Fillimisht, kryesia e xhamisë për ta përgatiti ushqim nga skara.

Më pas, imami R. Neziri ua prezantoi atyre hapësirat e xhamisë: dy faltoret, sallën e mbledhjeve, zyrën e kryesisë, klasën e mësimit islam dhe kafeterinë, ku edhe u zhvillua takimi i mëtejshëm.

Në vazhdim, imami R. Neziri, me anë të projektorit, ua prezantoi të pranishmëve historikun e xhamisë, strukturën organizative, aktivitetet kryesore, si dhe 3 forumet e xhamisë:

Forumin e Grave Muslimane, të cilin e prezantoi në mënyrë të hollësishme kryetarja Zuleja Nuredini,

Forumin e të shkolluarve në Zvicër („Networking“), që është ende në ngritje e sipër, e përfaqësoi Imran Hasani,

Forumin e të Rinjve, në mungesë të kryetarit Arben Bajrami për arsye shëndetësore, e prezantoi imami R. Neziri.

Në vijim u krijuan 4-5 grupe punuese për të mbledhur ide se çfarë mund të bëjë xhamia dhe Forumi i të Rinjve dhe të Rejave për ta, dhe çfarë mund të bëjnë këta të rinj dhe të reja për xhaminë dhe për Forumin.

Pas rreth 20 minutash pune në grupe, pjesëmarrësit u mblodhën sërish në plenum për të bërë rrumbullakësimin e ideve të tyre, të cilat u regjistruan në pllakate sipas fushave: fe, kulturë, sport dhe të ndryshme, dhe të njëjtat u arkivuan.

Hapi i radhës ishte zgjedhja e një kryesie të ngushtë të këtij Forumi.

Kryetar mbeti Arben Bajrami,

Nënkryetare u zgjodh Sumeja Aziri,

Sekretar u zgjodh Jusuf Ziberi.

Kryesisë së re dhe mbarë Forumit të të Rinjve dhe të Rejave Muslimane të xhamisë sonë u dëshirojmë sukses në rrugëtimin e tyre dhe shprehim gatishmërinë tonë, si kryesi dhe si xhemat, që brezave tanë të ardhshëm t’u qëndrojmë pas në realizimin e synimeve të tyre.

Imami dhe kryesia e xhamisë „Hëna e Re“ në Kreuzlingen, CH.