Kjo ishte tema që sot, më 2 tetor 2022, u trajtua në xhaminë tonë nga ana e imamit tonë mr. Rehan ef. Neziri dhe dr. Bashkim ef. Aliu.

Imami Neziri foli për aspektin psiko-social të dhunës në familje: definicionin dhe llojet e dhunës në familje, për Konventën e Stambollit (2011), për statistikat e dhunës familjare në Zvicër, për shkaktarët e dhunës si dhe bëri apel që të rishikohen raportet familjare, të mësohet komunikimi jo i dhunshëm në familje etj.

Ndërkaq, dr. Bashkim ef. Aliu foli për aspektin teologjik islam të kësaj teme delikate. Ai përmendi ajetet kur’anore dhe hadithet e qarta të Muhammedit a.s., që e përcaktojnë dizajnin e raporteve paqësore brenda familjes dhe në veçanti u ndal te interpretimi i një pjese të ajetit 34 të sures en-Nisa‘, duke sjellë komente të ndryshme nga më të hershmet e deri tek ato të sotmet.

Me kete rast u shpërnda falas edhe libri në dy gjuhë “Dhuna në familje / Häusliche Gewalt“ në autorësi të dr. Bashkim ef. Aliut.

Ne e falënderojmë përzemërsisht dr. Aliun për kohën dhe kontributin e tij të çmuar për Islamin dhe muslimanët e këtushëm si dhe botuesin e këtij libri.

Allahu na takoftë në raste e me tema më të këndshme!

Kryesia e xhamisë