Sot, më 21 qershor 2026, në xhaminë tonë u shënua me gëzim të veçantë ceremonia e hatmes së Kur’anit fisnik, të cilën e përfunduan me sukses 12 motra të xhamisë tonë.
Ato, ndonëse disa prej tyre janë në moshë dhe të angazhuara me përgjegjësi familjare e profesionale, gjetën kohë dhe vullnet që, me përkushtim e dashuri ndaj fjalës së Allahut xh.sh., ta ndjekin mësimin e Kur’anit dy herë në javë në xhaminë tonë. Ky është një shembull i bukur i këmbënguljes, i sinqeritetit dhe i dashurisë për Kur’anin.
Urimet tona më të përzemërta për motrat që e arritën këtë sukses të bekuar! E lusim Allahun e Madhëruar që t’i bëjë prej atyre që jetojnë me Kur’anin, veprojnë sipas tij dhe e bartin dritën e tij në familjet dhe shoqërinë tonë. Inshallah, shembulli i tyre do të bëhet frymëzim edhe për shumë motra të tjera që t’i përkushtohen mësimit dhe leximit të Kur’anit.
Falënderime dhe urime të veçanta i shprehim mualimes sonë, Ibadet Neziri, e cila me përkushtim të palodhshëm, dashuri dhe përgjegjësi të lartë kujdeset për mësimin dhe edukimin kur’anor të grave në xhaminë tonë. Allahu e shpërbleftë për mundin dhe kontributin e saj të çmuar!
Mirënjohje të sinqertë shprehim edhe për teologet e nderuara që na nderuan me praninë dhe fjalët e tyre frymëzuese:
- Fatime Beshiri-Musliu
- Kadrije Fetai (Frauenfeld)
- Nazlije Memeti (St. Gallen)
- Elvira Ibraimi (Brüttisellen)
Një falënderim i veçantë i takon Forumit të Grave, e në veçanti kryetares Zuleja Nuredini, për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e tyre në organizimin e kësaj ceremonie, e cila u zhvillua me dinjitet dhe në nivelin që e meriton një ngjarje e tillë.
Po ashtu, i falënderojmë nga zemra të gjitha motrat mysafire që kishin ardhur nga vende të ndryshme për ta ndarë me ne këtë gëzim të madh shpirtëror dhe këtë moment të veçantë të lidhjes me Kur’anin.
E lusim Allahun e Madhëruar që t’i pranojë përpjekjet e të gjithëve, t’i begatojë familjet tona me bereqet dhe udhëzim, dhe t’i shpërblejë të gjithë pjesëmarrësit me të mirat e kësaj bote dhe të Ahiretit.
Allahu ju shpërbleftë të gjithëve me Xhennetul-Firdeus! Amin.






